Drejtuesi politik i PS për qarkun Tiranës Erion Veliaj deklaroi se sot Ilir Meta është në hall teksa shikon se si partia që ai themeloi po i shpërbëhet para syve. Duke folur për News 24, Veliaj ironizoi disa prej kandidatëve të LSI në këto zgjedhje, të cilët kanë dosje të hapura me drejtësinë. “Unë e kuptoj që presidenti meta është në një pozicion shumë të vështirë dhe realisht ia qaj hallin. Do të jetë shumë e vështirë që të shikosh partinë që ke themeluar, partinë që ke investuar kaq shumë të të shpërbëhet para syve të tu. Duhet të jetë shumë e vështirë kur shikon që lista jote është me njerëz që sot janë të kërkuar nga drejtësia. Të shikosh Sekretarin e Përgjithshëm Vojo Bregun e Ministrisë së Bujqësisë që i ka blerë papaqët me dyfishin e çmimit dhe ka vjedhur dhe ilaçin e minjve të arave apo të karkalecave, duhet të jetë shumë e dhimbshme të kesh këtë kandidat. Të shohësh Rim Spahiun i cili u bë i famshëm në Tiranë si pushtues i Selvisë tek Vojo Kushi. Ia kishte hipur me kioskat e llotove Vojos, si Vojo Kushi ia kishte hipur tankut. Duhet të jetë shumë e dhimbshme të shohësh që Tit Fusha, personi që u largua nga drejtësia të futet tani nga dritarja në parlament. LSI sot është bërë palë me fosilizimin e PD dhe e shikon që kandidatët I ka të gjithë me atë letrën “WANTED”. Kur shikon që ti ke Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë që përgjonin ambasadorin Lu, do të thotë që një parti që lindi me kaseta, mbijetoi me kaseta dhe tani po vdes me kaseta. Duhet të jetë shumë e dhimbshme. Ia qaj hallin, por nuk e ndihmoj dot Presidentin e Republikës”, theksoi Veliaj.
Postime te ngjashme
Add A Comment
