Brenda muajit që vjen, do të nisë shpërndarja e kartave të studentëve. Ka qenë vetë kreu i Bashkisë Erion Veliaj që ka bërë të ditur lajmin duke thënë se është gati vendimi për t’u miratuar javën e ardhshme në mbledhjen e qeverisë. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë inspektimit në godinat 28 nga 29 në Qytetin Studenti që janë rikonstruktuar tërësisht.
“Kryeministri javën tjetër ka gati vendimin në mbledhjen e qeverisë VKM për Kartën e Studentit. Është përgatitur. Kryeministri e ka vënë në rendin e ditës për të mërkurën. Pastaj ne do bëjmë një dëgjesë. Se Këshilli Bashkiak i ka miratuar 40 shërbime. Edhe unë, edhe ministrja e Arsimit, edhe ministrja e Kulturës, se jemi pjesë e paketës, i kemi bërë gati, themi se 40 shërbimet, janë shërbime publike. Na janë afruar edhe shumë kompani private, që shesin libra, rroba, dhe mund të ketë ulje. Kështu që do fusim dhe shërbime private. Kështu që brenda muajit që vjen, kryeministri do ketë kënaqësinë t’u japë Kartën e Studentit të parëve që aplikojnë. Deri në 21 korrik do t’u japim studentëve kartat, dhe pastaj të tjerëve në tetor. Do të ketë një zyrë aplikimi si të Aleat për kartat e identitetit. Pastaj do ketë zyrë aplikimi në çdo universitet, ku do të aplikohet me fotot. Mirë e tha kryeministri, mirë është të kërkosh privilegje, por kur je dekan apo rektor ke edhe përgjegjësi”, deklaroi Veliaj.