Ndryshimet e sistemit sollën edhe mjaft plagë të reja në shoqërinë shqiptare. Një prej tyre ishte edhe krimi brenda familjes, ku kryesisht ka qenë vrasja mes bashkëshortëve, por edhe e fëmijëve të tyre.
Por një fenomen shqetësues është edhe vëllavrasja. Përgjithësisht këto vrasje kanë ndodhur për konflikte mbi pronësinë e madje ndonjëherë edhe për një copë gardh.
Ngjarje të tilla janë shumë të vështira për t’u kapërdirë në një shoqëri si e jona ku akoma marrëdhëniet familjare janë shumë të rëndësishme dhe ruhen me fanatizëm.
Ja disa prej ngjarjeve më të bujshme të viteve të fundit kur vëllai vret vëllain:
2014- Një krim i rëndë tronditi fshatin Bushnesh në Krujë 5 vjet më parë.
Pal Marku u vra nga vëllai i tij i vogël Petrit Marku, pas konfliktit për pronën.
Vrasja u bë me një armë tip automatike dhe pas autori u vetëdorëzua në polici.
2015- Qyteti i Elbasanit u zgjua me një lajm shumë të hidhur. Pas një konflikti për pronat, Ibrahim Terziu vrau vëllanë e tij Rexhep Terziu në fshatin Shushicë të Elbasanit.
2015- Një ditëlindje u kthye në mort në Fushë-Mamurras, pasi Afrim Sela, 41 vjeç ekzekutoi me 3 plumba vëllanë 33- vjeçar Fabiol Sela, në sy të familjarëve të tjerë. Krimi ndodhi pasi vëllezërit edhe nën efektin e alkoolit kujtuan një konflikt të vjetër mes tyre.
2016-Në fshatin Valias në Tiranë, Afrim Kallari, 43 vjeç ka vrarë vëllain e tij Elmir Kallarin, 36 vjeç me armë gjahu. Autori u vetëdorëzua në Polici duke rrëfyer se vrasja ka ndodhur për konfliktet mbi pronësinë.
2018- Ngjarja tragjike ndodhi në Baltëz të Fierit. Një 10 vjeçar qëlloi me thikë vëllain më të madh, pas një grindje çasti mes tyre. 13 vjeçari humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Ngjarja ishte shumë e rëndë për shkak të moshës së mitur të fëmijëve.
2019-Ditën e djeshme Sali Dakuci vrau vëllain e tij Kujtimin dhe nipin 20-vjeçar Flogetin. I rënduar psikologjikisht., ai i ka dhënë fund edhe jetës së tij. Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm për një gardh.
