Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar përmes zëvendëskryetarit të saj Luan Rama për vendimin e KQZ që PD dhe LSI të mos ketë komisionerë zgjedhorë.
“Me paligjshmërinë e veprimtarisë së vet, KQZ bëhet pjesë e tërësisë së sjelljes kriminale që ka të bëjë me zgjedhjet në Shqipëri. Mosregjistrimi komisionerëve përfaqësues të opozitës, që është detyrim i Kodit Zgjedhor, është përpjekja e radhës për të bërë të mundur që farsa zgjedhore të jetë skandaloze dhe në përmasat e një krimi elektoral pa shkuar ende në ditën e zgjedhjeve.
E gjitha kjo është një absurd i tërë, sepse jo vetëm nuk ka garë, jo vetëm nuk ka opozitë që merr pjesë në zgjedhje, jo vetëm që ka edhe përfaqësues të maxhorancës që nuk plotësojnë kriteret ligjore, po për fat të keq pjesë e instrumenteve kriminalë dhe të shkeljes së ligjit, është bërë tashmë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili me 4 përfaqësues nga maxhoranca është në ilegjimitet të plotë, është në shkelje të Kodit Zgjedhor, është ndërkaq instrumenti i radhës i një veprimtarie kriminale të nisur më herët dhe që dëshmon se 30 qeshori nuk do të jetë ditë dhe datë zgjedhjesh në Shqipëri”, tha Luan Rama para mediave.
Sipas tij, me këtë veprim dhe me këtë sjellje që po demonstron mazhoranca dhe në mënyrë të veçantë qeveria “nuk po bën asgjë tjetër vetëm po konfirmon dhe po rikonfirmon se duke qenë produkt i zgjedhjeve të kriminalizuara njësoj si bandat e krimit, apo si kriminelët përbërës të bandave, kërkojnë të mbulojnë gjurmët e krimit me krimin e radhës.
