Veshjet u bënë më të lira për shqiptarët gjatë 2018-s. Edhe pse niveli i çmimeve për veshjet është thuajse sa mesatarja europiane, gjatë viti që lamë pas ato pësuan një rënie të lehtë, nga 97.1 në 96.5 të mesatares europiane.

Eurostat ka publikuar çmimet për produktet e shportës bazë duke krahasuar nivelin e çmimeve ndër vende të ndryshme të BE-së. Vlerësimi bëhet bazuar në paritetin e fuqisë blerëse ku mesatarja e BE-së merret 100. Që do të thotë se çmimet e veshjeve në Shqipëri janë sa 96.5% e mesatares së BE-së.

Por ndryshe ka ndodhur me çmimin e këpucëve. Bazuar në të njëjtin publikim që ka bërë Eurostat, këpucët janë bërë më të shtrenjta, duke u rritur nga 87.8 në 93.5.

Krahasuar me vendet e rajonit, çmimet në Shqipëri janë më shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut, por më lirë se në vendet e tjera. Për vitin 2018, Bosnje dhe Hercegovina mban rekordin për çmimin më të shtrenjtë me një nivel prej 107.6. Çmimet e veshjeve në Bosnjë kërcyen vitin e fundit, duke u ngritur mbi nivelin e mesatares europiane. Në Serbi dhe në Malin e Zi, niveli i çmimeve shënoi përkatësisht 97.3 dhe 97% e mesatares së BE-së.

Rrobat më të lira i gjeni në Turqi

Turqia mbetet padyshim vendi me çmimin më të lirë të rrobave në Europë. Në 2018-n çmimet e rrobave atje kushtonin sa 49.3% e mesatares së Bashkimit Europian, gati dy herë më pak se në Shqipëri.
Vendet e Europës Veriore kanë nivelin më të lartë të çmimeve të rrobave. Kështu rekordin për vitin 2018 e mban Islanda ku veshjet kushtojnë sa 147% e çmimeve mesatare në Europë, duke u pasuar nga Danimarka me 140, Norvegjia me 128, Suedia me 126, Zvicra me 125.
Vendet fqinje si Italia dhe Greqia kanë shënuar një nivel çmimesh përkatësisht 102 dhe 99% e mesatares së BE-së.
Ndërsa për Kosovën, Eurostat ende nuk ka publikuar shifrat për vitin 2018. Megjithatë një vit më parë niveli i çmimeve të rrobave ishte 96.9, duke iu afruar kështu nivelit të çmimeve në BE.

Shqiptarët qejflinj pas veshjeve

Edhe pse renditemi ndër vendet me të ardhura të ulëta për frymë, kur vjen puna te veshjet shpenzojmë po aq se europianët. Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjes 2017 shpenzimet për veshje dhe këpucë të familjeve zinin një peshë prej 4.3% të totalit, nga 4.8% që ishin një vit më parë. Mesatarja europiane e shpenzimeve për veshje dhe këpucë sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2016 ishte 4.9%. Në krahasim me disa vende anëtare të Bashkimit Europian, si Greqia, Danimarka, Franca apo Bullgaria, Shqipëria kishte shpenzime më të larta për veshje dhe këpucë.
Estonia (6.8%), Portugalia (6.3%) dhe Italia (6.2), Austria (6.1%) kryesojnë në Europë për buxhetin e lartë të veshjeve në raport me totalin e shpenzimeve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here