Vetëvrasja është një nga fenomenet më të dhimbshme të shoqërisë. Në Shqipëri vijojmë të flasim për shifra të larta të numrit të tyre. Burime nga Policia e Shtetit konfirmuan për revistën “Monitor” se numri i vetëvrasjeve në vitin 2018, në total ka qenë 183, ndërsa vrasjet 68. Ndonëse numri i vetëvrasjeve krahasuar me 2017 ka rënë (-5.5%), shifrat flasin sërish për një numër të konsiderueshëm, si dhe një raport 3-fish më të lartë se sa vrasjet në Shqipëri.
Dhe ndonëse në 2018 shifrat ishin më të ulëta se 2017, ekspertët rikujtojnë edhe rastet kur ky fenomen ka mbetur në tentativë. Sipas tyre, tentativat për marrjen e jetës kanë qenë të shumta, por nuk janë raportuar dhe ndodhin kryesisht në grupmoshën e adoleshencës, rinisë së hershme. Sipas ekspertes së fushës psikologjike, prof. dr. Arjana Muçaj, tentativat në Shqipëri vlerësohet të jenë dyfishi i vetëvrasjeve të kryera.
Vetëvrasja është një çështje komplekse dhe, si e tillë, përpjekjet për parandalimin e saj kërkojnë një koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet shumë sektorëve të shoqërisë, përfshirë sistemin shëndetësor, sistemin arsimor, të punësimit, bujqësor, të biznesit, të drejtësisë, të ligjit, të mbrojtjes, politik, mediat. etj. Këto përpjekje duhet të jenë të qarta dhe të integruara në formë të tillë që të jenë, mbi të gjitha, qasjet e vetme dhe të kenë impakt në këtë çështje komplekse.
Ka një lidhje mes sjelljes së vetëvrasjeve dhe ekonomisë në tërësi. Kjo lidhje ushqehet nga dy anë: ana ku aspekti ekonomik është shkak për vendimin dhe ana tjetër, ku kostoja ekonomike përfshin familjen dhe më gjerë, pas sjelljes vetëvrasëse. Në të dyja rastet, ka humbje. Përpjekjet për vetëvrasje dhe vetëvrasjet janë një lëmsh emocional për familjet dhe miqtë e atyre që kanë vdekur, si dhe për të mbijetuarit pas tentativës. Por vetëvrasja gjithashtu ka kosto ekonomike për individët, familjet, komunitetet dhe kombin në tërësi. Këto përfshijnë shpenzimet mjekësore për individët dhe familjet, të ardhurat e humbura për familjet dhe produktiviteti i humbur për punëdhënësit.
Shpenzimet e sjelljeve vetëvrasëse – dhe ‘kursimet’ që mund të rezultojnë nga parandalimi i këtyre sjelljeve – mund të ndihmojnë në bindjen e politikëbërësve dhe palëve të tjera që parandalimi i vetëvrasjes është një investim që do të kursejë para, si dhe jetën.
Prof. asoc. dr. Arjana Muçaj, pohon se depresioni është një fenomen që po kap një numër të madh individësh në shoqërinë shqiptare. N.q.s. rendisim arsyet sociale dhe ekonomike që ia bashkëngjisim depresionin, atëherë bëhet fjalë për një depresion madhor, që rrit shanset për t’i çuar drejt fenomenit të vetëvrasjes.
Depresioni është një fenomen që po kap një numër të madh individësh në shoqërinë shqiptare. N.q.s. rendisim arsyet sociale dhe ekonomike që ia bashkëngjisim depresionin, atëherë bëhet fjalë për një depresion madhor, që rrit shanset për t’i çuar drejt fenomenit të vetëvrasjes”, thotë për Monitor dr. Arjana Muçaj.
Duke qenë se jetojmë në një shoqëri globale, detyrimisht globalizimi ka sjellë të mirat dhe të këqijat e veta, “Momentalisht po jetojnë individë që shohin të mirat e vetes dhe shumë pak të kontribuojë për shoqërinë, për rrethin e ngushtë etj. Ky individualizëm e ka shndërruar individin të vetëm, brenda grupit social në të cilin ai bën pjesë.
Të gjitha këto ndikojnë në lindjen e depresionit, përpos shkaqeve gjenetike. Ne jemi në një epokë të jetës post-moderne dhe individualiste njëkohësisht, që ndër vështirësitë që ka sjellë për individin janë arritja e qëllimeve si një njeri i suksesshëm, të arrish objektiva vazhdimisht, të jesh konkurrues, të përballosh sfida, të përballosh varfërinë etj.”- pohon ekspertja. Ndërsa Ergys Mërtiri, sociolog, pohon se shifrat janë vërtet alarmante dhe tregojnë për një krizë të thellë të shoqërisë.
“Shoqëria shqiptare ka humbur drejtpeshimin, duke e lënë individin në mëshirën e fatit. Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai që sjell numrin më të madh të tyre. Por vetë depresioni është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe që i vendos egërsisht nën presion individët. Mund të themi se shkaktarë të kësaj situate janë probleme të natyrës ekonomike, sociale e psikologjike. Të gjitha së bashku bëjnë që shumë njerëz të shfaqin dobësi, që i bëjnë të mos i përballojnë dot presionet e shumta” – pohon z. Mërtiri.
“Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai që sjell numrin më të madh të tyre. Por vetë depresioni është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe që i vendos egërsisht nën presion individët”, thotë për Monitor Ergys Mërtiri.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e vlerëson vetëvrasjen si një prioritet të shëndetit publik. Raporti i parë i OBSH-së mbi vetëvrasjen “Parandalimi i vetëvrasjes: një domosdoshmëri globale”, publikuar në vitin 2014, ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e parandalimit të vetëvrasjes në shëndetin publik, si dhe për ta kthyer parandalimin e vetëvrasjes në një prioritet në axhendën globale të shëndetit publik. Gjithashtu, ai synon të inkurajojë dhe të ofrojë mbështetje për vendet anëtare në lidhje me zhvillimin dhe forcimin e strategjive kombëtare, si një qasje multisektoriale. Në Planin e Veprimit për Shëndetin Mendor 2013-2020 të OBSH-së, anëtarët janë angazhuar të punojnë drejt një targeti global për reduktimin e shifrave të vetëvrasjes me 10% deri në vitin 2020./ Marrë me pjesë nga Monitor
