Në komisionin parlamentar të Sigurisë është diskutuar këtë të hënë dekreti i Presidentit Meta për ndryshimet në ligjin për vetingun në policinë e Shtetit. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar se argumentet e Ilir Metës janë absurde, duke kërkuar që ky drekte të rrëzohej.
“Bindja presidenciale se procesi do të keqpërdoret politikisht nga Ministria e Brendshme është absurde. Kjo nuk mund të lejohet, që të paragjykohet një institucion Kushtetues siç është Ministria e Brendshme, aq më shumë Presidenti i Republikës.Është krejtësisht e papranueshme, që të kemi një paranojë nga Ministria e Brendshme. Ministria bën drejtimin politik të këtyre institucioneve, jo partiak, por nuk mund të mendohet që të krijohen struktura jo kushtetuese, duke paragjykuar se Ministritë nuk na bëjnë punë. Argumenti për pavarësinë është përtej absurdit, pasi procesi është parashikuar në ligjin e vjetër që vetingu të bëhet nga strukturat e brendshme të Ministrisë”, tha Lleshaj.
Lexo edhe- Meta i kthen Ramës ligjin për vettingun në polici
Argumentit të Presidentit se po i jepet më shumë kohë e do vihen në presion personat subjekt të ligjit, Lleshaj tha se “nëse kanë probleme me vetingun, le të ndjehen në presion. “Nëse ata kanë probleme me vetingun, shumë mirë që duhet të ndihen në presion. Ata që s’kanë ndonjë mizë nën kësule nuk kanë pse ndihen nën presion. Ju ftoj që t’i qëndroni vendimit të mëparshëm dhe ta rrëzoni dekretin e Presidentit, pasi me këtë ligj ne i japim një ritëm të ri procesit të vetingut, që duhet të kryer në kohën më të shpejtë dhe me ritmin e duhur”, ka thënë Lleshaj.