Në pjesën më të madhe të institucioneve shtetërore, në zyra po qëndrojnë një ose dy punonjës duke respektuar distancën në kuadër të masave anti-Covid.
Por kjo gjë nuk ndodh në gjykatat shqiptare.
Më konkretisht, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është e ndarë në dy godina të ndryshme, në një distancë të largët më njëra-tjetrën, kjo ndarje ka ndodhur për shkak të mungesës së hapësirave për 63 gjyqtarë dhe një stafi të përbërë nga 211 persona.
Numri i sallave të gjykimit gjithsej në të dy godinat është 28 dhe nuk është i mjaftueshëm për t’i shërbyer 63 gjyqtarëve. Kështu që pjesa më e madhe e proceseve gjyqësore zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve. Kur në rastin më të mirë gjatë një procesi civil janë 6 persona brenda një ambienti 16-20 metra katrorë. Kjo hapësirë e bën të pamundur respektimin e distancave, pasi në një proces gjyqësor marrin pjesë gjyqtari, sekretarja gjyqësore, pala paditëse me avokatin, pala e paditur me avokatin, pa marrë parasysh proceset ku janë thirrur ekspertë ose dëshmitarë.
Megjithëse në gjykatë nuk lejohet hyrja pas maskë, duket se respektimi i rregullave anti-Covid është shumë i vështirë.
Sipas të dhënave të Gjykatës së Tiranës, gjatë viti 2019 në salla janë zhvilluar vetëm 15.6 % e seancave gjyqësore që ka zhvilluar një gjyqtar.
Duke llogaritur që një gjyqtar zhvillon më shumë se 5 procese në një ditë, duket se rreziku për përhapjen e Covid është shumë i madh.
Po kështu moszhvillimi i seancave gjyqësore në sallë sjell edhe një tjetër problem, atë të mos regjistrimit të proceseve gjyqësore me audio, që është në fakt një detyrim nga ana e gjykatës dhe një drejtë e palëve për të pasur në audio procesin tyre gjyqësor.
Si pasojë e kësaj situate ka pasur edhe raste kur në sallë ka pasur momente tensioni mes palëve në proces dhe në organikë nuk ekzistojnë punonjës sigurie për zyrë, potencialisht mund të ndodhin situata problematike, mund të vënë jo vetëm në rrezik palët në proces, por dhe gjyqtarët e prokurorët.
Në zyrat e vogla të gjyqtarëve, humbet transparenca, humbet solemniteti i gjykimi dhe siguria është shumë e ulët./Tirananews.al