Këngëtarja që do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin europian të këngës “Eurovision” në një intervistë për median publike greke ERT1 ka folur për eksperiencën e saj gjatë kohës kur jetoi dhe punoi në Greqi si dhe për faktin se mbiemri i saj “Peristeri” (në greqisht do të thotë pëllumb) vjen nga fakti se stërgjyshi i saj ishte grek.
Ajo është shprehur se Shqipëria është atdheu i saj ku u lind dhe u rrit, dhe e pyetur në lidhje me ndjesitë e saj për shtetin fqinjë ajo është përgjigjur se për Greqinë ka një adhurim të veçantë teksa ka kaluar atje vitet më të bukura të jetës.
“Pershëndetje, jam Anxhela Peristeri dhe përfaqësoj Shqiperinë në Eurovision sivjet me këngën “Karma”. Çfarëdo jep, merr prandaj dhe ne duhet t’ju bëjmë mirë të tjerëve që të marrim mirësi. Unë dhe kompozitori im Klejdi Bahiti kishim menduar çdo vit që të merrnim pjesë por gjithmone ishim shumë të zënë. Sivjet me shkakun e pandemisë kishim kohë dhe zgjodhëm një kenge midis 2 -3 që shkruajtëm dhe shkuam në konkurs. Stërgjyshi im ishte grek prandaj dhe mbiemri im është grek Peristeri. Kam bashkëpunuar me Paolën, Andoni Remon që e dua shumë. Fillova në fillim me Valantin pastaj me Elena Papadopoulou. Shqipëria për mua është atdheu im, këtu u linda , këtu u rrita, këtu u bëra e njohur, me mbeshtetën njerëzit dhe akoma më mbështesin. Greqia për mua është një vend që e adhuroj, shumë i bukur. Aty kam miqte më të shumtë sepse jetova aty vitet më të mira.’’- ka thënë Peristeri.