Aksi rrugor Thumanë-Kashar, do të hapet më 30 qershor. Thumanë-Kashar është i aks i kategorisë A, ku shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 kilometra në orë, duke ofruar gjithashtu kushte të larta sigurie. Hapja e këtij aksi për qarkullimin e automjeteve do të lehtësojë ndjeshëm fluksin e trafikut.
Lajmi u bë i ditur nga zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli inspektuan nga afër punimet e fundit që po realizohen në nyjen e Kasharit.
“Të gjithë drejtuesit e automjeteve do të kenë të drejtë të zgjedhin rrugët e shpejtësisë mbi 130 kilometra në orë me pagesë apo rrugët dytësore të cilat do të jenë të disponueshme pa asnjë lloj pagese. Jemi në proces negocimi të kontratave të tjera, disa prej tyre janë drejt lidhjes dhe menjëherë ashtu siç ky kantier eci me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duhet të themi që ky është një nga kantieret të dorëzuara në kohë rekord, pavarësisht gjithë problematikës që kemi pasur me shpronësimet”,-tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se të gjitha segmentet e Korridori Blu do të jenë me pagesë, pasi do të jenë akse të shpejtësisë së lartë, por në dispozicion të qytetarëve do të jenë edhe rrugët dytësore të cilat do të jenë pa pagesë. Balluku bëri të ditur se pasditen e 30 qershorit Thumanë-Kashar do të hapet plotësisht për qarkullimin e automjeteve.