Skuadra e futsallës së Barcelonës ka arritur të triumfojë sot përballë Sportingut të Lisbonës në finalen e Champions League me një rezultat të bindsëm 4-0, duke ngritur në fund trofeun prestigjoz të këtij turneu. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, Armand Duka i cili i dorëzoi trofeun kapitenit të Barcelonës.
Finalja e këtij kompeticioni u zhvillua në Riga të Letonisë, ku katalanasit dominuan ndeshjen e cila u luajt në dy pjesë loje nga 20 minuta me njëpushim 15 minutsh mes pjesëve. Golat u shënuan nga Lozano, Pito, Ferrao dhe Didac, ndërsa sfida u ndoq nga 8442 tifozë.
Kështu, Barcelona arriti të marrë hak ndaj portugezëve që sezonin e kaluar fituan 4-3 finalen “blaugranasve”, ndeshje e cila u luajt në Zadar të Kroacisë.
Kështu, kapiteni i Barcelonës mori trofeun nga Armand Duka, i cili është njëheresh edhe një nga 11 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe që sot ishte zgjedhur për të dorëzuar kupën tek ekipi fitues.
