Të gjithë tek Southampton, madje dhe tifozat presin dhe luten që Armando Broja të rikthehet në formën e tij më të mirë në përballjen e radhës kundër Arsenal në kampionat, me “topçinjtë” që po e vëzhgojnë prej kohësh sulmuesin kuqezi. Brojës i mungon goli që nga sfida me West Ham në FA Cup, në të cilën shënoi një gol fantastik.
Në fakt, jo vetëm Arsenal por edhe shumë skuadra të tjera duan shërbimet e lojtarit të kombëtares shqiptare. Megjithatë, pengesa më e madhe që ekziston për klubet europiane që duan të blejnë sulmuesin mbetet Chelsea, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij. Mirëpo, situata ku ndodhen londinezët nuk i lejon ekipet e tjera të futen në negociata pasi vuajnë sanksionet e vendosura nga qeveria britanike, fakt që e pranon edhe trajneri i Southampton, Ralph Hasenhuttl:
“Të gjithë e dimë situatën ku ndodhet Chelsea, ka shumë ndryshime, nuk është e lehtë të gjesh një person aty për të folur rreth Armando Brojës, por ne po e provojmë dhe jemi të duruar. Në të njëjtën kohë jemi të përqendruar ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, sa më lart të jesh në tabelën e klasifikimit aq më i dëshiruar je nga lojtarët”, deklaroi Hasenhuttl në konferencën për shtyp, duke shprehur sërish dëshirën e fortë për të patur Brojën në ekip.
