Rruga e Arbrit shkurton distancën e Dibrës me Tiranën, dhe tashmë me aksin e ri, vendet magjike që ofron kjo zonë bëhen më të vizitueshme. Atje ku rete mbulojnë malet dhe Ura e Vashës shfaqet në gjithë madhështinë e saj, pamja është e mrekullueshme që bën zemrën të ndihet pjesë e një peizazhi të paharrueshëm.
Rruga përshkon luginat malore të Shpalit, Murrizës, kapërcen me tunel në veri të Qafë-Murrizës duke dalë në anën e Matit në luginat e bukura malore të Xibrit e Gurit të Bardhë.
Në grykën e rrjedhjes së sipërme të lumit të Matit, mbi Urën e Vashës, pasi kalon luginën e Planit të Bardhë dhe tunelin e Qafës së Buallit, del në luginën e mirënjohur të Vajkalit, Zallit të Bulqizës, Zerqanit deri sa del në fushën e Gjoricës të pellgut të Dibrës dhe për të vazhduar deri në Dibër të Madhe.


