Janë publikuar pamjet e aksionit të policisë së Durrësit në Hotel “Colombo” në Durrës. Shihet se një numër i madh efektivësh nga struktura të ndryshme të policisë mësyjnë brenda lokalit.
Kjo godinë me vlerë 1 milionë euro u konfiskua me vendim të gjykatës së Durrësit, pasi pronari Pëllumb Tuda e ka vënë pasurinë me para të siguruara nga aktiviteti i tij kriminal.
Me urdhër të prokurorisë janë konfiskuar edhe dy pallate në ndërtim. Vlera e tyre në treg arrin në 2 milionë euro.
Pëllumb Tuda ishte vënë në hetim pasuror dhe gjykata thotë se tashmë rezulton e provuar që pasuria e tij është vënë përmes veprimtarive kriminale ku ai ka qenë i përfshirë.
