Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme të Grupit Parlamentar të PS, ku u votuan emrat e propozuar për President, nuk u mor asnjë vendim për djalin e ish-deputetit Aqif Rakipi.
Ditën e sotme pritej që të merrej vendim për ta përjashtuar ose jo nga grupi parlamentar i PS Orlando Rakipin, kjo pasi SHBA vendosi sanksione ndaj babait të tij dhe e shpalli atë në listën e zezë.
Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla është shprehur se vendimet e SHBA duhen respektuar.
“Nëse ka diçka që ne si familje politike dallohemi nga te tjerët është se kurrë nuk kemi përdorur standarde te dyfishta. Qëndrimi ynë është i njëjtë gjithmonë dhe ne i respektojmë vendimet e Shtetet e Bashkuara, aleatit tonë strategjik”, u shpreh Balla.
Pavarësisht të gjithave, Orlando Rakipi i është drejtuar kutisë së votimit normalisht, duke propozuar 3 emrat e tij për President.