I mbështjellë me flamurin kombëtar, i mbajtur nga trupa ceremoniale e gardës e veshur me të kuqe, arkëmorti i ish-Presidentit të Republikës Bujar Nishani ka dalë nga institucioni i Presidentit me nderimet e fundit të ceremonisë shtetërore. Një minutë heshtje me kokat ulur për të nderuar kujtimin e tij nga të gjithë të pranishmit.
Ceremonia shtetërore nisi në orën 10:00 dhe në 12:00 arkëmorti la Presidencën për t’iu drejtuar varrezave të Sharrës, ku do të prehet trupi i ish-Kreut të Shtetit. Deri tek ura e Lanës kortezhi ka lëvizur më këmbë. Presidenti Nishani la pas bashkëshorten Odetën, djalin Ersin dhe vajzën Fjonën, të cilët së bashku me babain e ish-kreut të Shtetit kanë pritur sot ngushëllime nga qindra njerëz, personalitete, drejtues, ministra, deputetë, ambasadorë dhe miq të familjes.
