Jonida Maliqi dhe Romeo Veshaj po përjetojnë me të vërtetë një histori dashurie. Ndonëse deri më tani kanë qarkulluar vetëm lajme të bazuara mbi aludime, MCN Radio Albania ka publikuar një video ku Jonida dhe Romeo shihen të përqafuar në pishinë, duke kaluar disa momente vërtetë romantike.
Thashethemet e para rreth lidhjes së tyre nisën në gusht të vitit të kaluar, pasi këngëtarja dhe aktori i humorit postonin foto nga ambiente të njëjta. Ato u përforcuan akoma edhe më tej përgjatë përfaqësimit që Jonida i bëri Shqipërisë në Eurovizion 2019 me këngën “Ktheju Tokës”. U vu re një mbështetje e jashtëzakonshme nga ana e Romeos, i cili u bënte thirrje të herëpashershme edhe ndjekësve të tij në “Instagram” që të votonin për këngëtaren.
Kjo e fundit, e kontaktuar pak kohë më parë nga “Iconstyle.al”, nuk pranoi të fliste për lajmet që po qarkullonin rreth saj dhe Romeos, duke thënë se nuk dëshironte që jeta e saj private të bëhej publike.
Kjo lidhje, tashmë e konfirmuar, vjen katër vite pas divorcit të Jonidës me ish-partnerin prej 17 vitesh, Gent Prizreni, me të cilin ka edhe një djalë me emrin Dan.