Mindia Lavasogli (Goradze) 42-vjeçar nga Gjeorgjia, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si kreu i një organizatë kriminale që ka kryer vepra të ndryshme penale, dhe është arrestuar nga Policia e Tiranës.
“Shërbimet e Fast Albania, bazuar në inteligjencën informative, si dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit me homologët e Fast Mali i Zi, kanë lokalizuar në Tiranë, një shtetas shumë të kërkuar ndërkombëtarisht. Fast Albania ka zhvilluar dhe ka finalizuar me sukses, operacionin policor të koduar “Kryesori”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua përkohësisht, me qëllim ekstradimin drejt Gjeorgjisë, shtetasi gjeorgjian Mindia Lavasogli, 42 vjeç”, tha policia.
Ai strehohej në Tiranë, dhe akuzohet si kreu i një grupi kriminal të dhunshëm, me aktivitet kryesisht në krimet kundër pasurisë, në Gjeorgji dhe në vende të tjera. Gjykata e Kutaisi-t në Gjeorgji e ka dënuar me 12 vjet burgim për veprat penale “Pengimi i veprimtarisë profesionale të gazetarit, kryer me anë të kanosjes”, “Grupi kriminal” etj.
