Task Forca për Turizmin dhe Këshilli Konsultativ Qeveri Vendore-Vetëqeverisje Vendore, u mblodh këtë të hënë në Tiranë për të diskutuar mbi masat e marra për sezonin e ri turistik. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, duke marrë fjalën në këtë takim, vuri theksin në vlerën ekonomike që turizmi sjell për bashkitë. Sipas tij, hapja e sezonit turistik është një nga elementët më të rëndësishëm ku kërkohet bashkëpunimi mes institucioneve, për ofrimin e shërbimeve më të mira ndaj qytetarëve dhe ky qëllim merr një dimension tjetër rëndësie në këtë moment.
”Vitin që kaloj turistët shpenzuan në Shqipëri, 5.5 miliardë euro. 30% e këtyre parave shkuan për shërbime, bare, restorante…, pra një element që lidhet me bashkitë, pasi është në tagrin e pushtetit lokal monitorimi i këtyre shërbimeve. 30% e këtyre parave janë shpenzuar në bare e restorante, ku kanë punuar kamarier, kuzhinier, mirëmbajtës…etj. 30% është shpenzuar në hoteleri, edhe ky sektor i lidhur me funksionin e bashkive. Pak më pak se 30% është shpenzuar për produkte agroushqimore, edhe këto të lidhura me qytetarët e secilës prej bashkive. 10% për transport, që lidhet prapë me bashkitë”, u shpreh Mazniku.
Për të impakti i turizmit në ekonominë e vendit dhe në ekonominë e qytetarëve është i padiskutueshëm. ”Impakti i turizmit ka ndryshuar ekonominë e vendit. Nëse do kemi 10% rritje këtë vit nga turizimi, që do të thotë gjysëm miliardë euro të ardhura më shumë nga industria e turizmit dhe janë para që shkojnë tek qytetarët, biznesi, transporti, që funksionojnë në qytete. Ndaj dhe krijimi një mjedisi ku kjo të funksionoj mirë, nuk është vetëm çështje imazhi, por që lidhet mirë me ekonominë e qytetarëve të bashkive respektive”.
Ministri bëri të ditur se bashkitë duhet të jenë të fokusuara në maksimum në përgjigje të ngarkesës ekstra dhe fluksit të shtuar të turistëve. Sipas Maznikut, bashkitë duhet të jenë bë pikën optimale të performancës për t’ja dalë në këtë sfidë. ”Pastrimi mbetet sfida më e madhe e kësaj çështjeje dhe në hapësirat ndër-bashkiake. Fakti që kemi sot një turizëm që nuk është ngushtësisht i përqendruar në fashën bregdetare, por ato janë duke lëvizur nga fasha bregdetare drejt pjesës më të brendshme të qytetit, kjo do të thotë se shërbimi i pastrimit kërkon të jetë në angazhim maksimal. Kjo funksionon vetëm nëse bashkitë janë në pikën më të mirë të performancës dhe do të funksionoj siç duhet i gjithë elementi i pasjes së një mikpritje siç e do historia, tradita dhe nderi”.