Presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai rus, Vladimir Putin kanë regjistruar një përplasje të furishme telefonike vetëm katër ditë përpara se Kremlini t’i hapte rrugën pushtimit të Ukrainës.
Regjistrimi bombastik është zbuluar nga mediat franceze dhe aty dëgjohet Presidenti francez duke sulmuar homologun e tij lidhur me sugjerimet që ai duhet të negociojë me separatistët pro-rusë.
Debati i tensionuar përfundoi me Putinin që deklaroi se ishte në palestër për të luajtur hokej mbi akull, pasi hoqi dorë nga kërkesat për të mbajtur një takim me Joe Biden. Detajet e thirrjes konfidenciale të 20 shkurtit u zbuluan nga transmetuesi France2 në një dokumentar mbi trajtimin e konfliktit nga presidenti francez me temë “Një President, Evropa dhe Lufta”.
Në diskutimin e zjarrtë, Macron i tha Putinit: “Nuk e di se ku e ka mësuar ligjin avokati juaj! Unë thjesht po shikoj tekstet dhe po përpiqem t’i zbatoj ato! Nuk e di se cili avokat do t’ju thotë se në një vend sovran, tekstet e ligjeve propozohen nga grupet separatiste dhe jo nga autoritetet e zgjedhura në mënyrë demokratike”.
Në bisedën telefonike, gjatë së cilës Putin ishte duke u relaksuar në një gjimnaz, kreu i Kremlinit e përshkruan revolucionin e vitit 2014 që solli liderët properëndimorë në pushtet në Ukrainë si një grusht shteti dhe akuzon Volodymyr Zelensky për refuzimin e përfshirjes në dialog me separatistët pro-rusë.
Kur lideri i Kremlinit i sugjeroi sërish Macron-it të negociojë me separatistët, francezi u shpreh me tone të larta: “Ne nuk na plas fort për propozimet e separatistëve!”
Të nesërmen e përplasjes me Macron, Putin doli dhe deklaroi se Rusia njeh Republikën Popullore të Donetsk dhe Republikën Popullore të Luhanskut dhe pushtimi i plotë filloi në mëngjesin e 24 shkurtit.
Ndërkohë biseda vijon me Macron që kërkon qartësi mbi ‘synimet’ e Putinit dhe pyet se cilat ‘veprime të dobishme’ mund të parandalojnë një luftë të plotë. Putin më pas shpërthen mbi figurën e Zelenskyt, të cilin ai e akuzon se ‘gënjen’ për marrëveshjen e Minskut, një marrëveshje e nënshkruar në vitin 2014 që synonte dhe dështoi t’i jepte fund luftës në Donbas.
