“Matjanët janë njohur për trimëri, guxim dhe besnikëri,” – thoshte rilindasi Sami Frashëri për një nga zonat që ka nxjerrë personalitete të mëdha të historisë së Shqipërisë. Pikërisht kjo zonë është vizituar në serinë e radhës nga “Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji.
Mati është njohur për historitë e lavdishme të luftërave të Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe faktit se atje pati lindur gjithashtu i ati, Gjon Kastrioti, i cili në fund-vitet 1300 e kishte kthyer këtë krahinë në një zonë tejet të zhvilluar kryesisht për tregtinë. Përveç kësaj, disa shekuj më vonë në Mat lindi Ahmet Zogu, i cili në vitet 1928-1939 mbretëroi Shqipërinë.
Për këtë fakt, kjo krahinë thuhet rëndomtë se është “toka e mbretërve”.
Burreli është zona urbane më e zhvilluar e Matit. Ndodhet rreth 100 kilometra rrugë automobilistike në veri të Tiranës dhe 36 kilometra në perëndim të Bulqizës – vendqëndrim i episodit të shkuar për Udhëtarët. Përveç faktit se qyteti ofron një mundësi të mirë për “Udhëtarët”, rrethinat janë gjithashtu interesante për t’u vizituar.
Rreth 25 kilometra në lindje të Burrelit, në fshatin Vig, ndodhet një livadh i rrethuar me pemë të larta shekullore. Gojëdhënat flasin se në këtë zonë qe varrosur një funksionar i lartë i ushtrisë turke dhe vizitohej për pelegrinazh e si rrjedhojë vendit i mbeti emërtimi “Livadhi i turkut”. Megjithatë ka shumë gjasa që zona ta ketë marrë këtë emër pasi livadhi mund të jetë përdorur si vendqëndrim i ushtrisë turke për të organizuar sulmet drejt rrethinave – ngjashëm “Livadhi i turkut” njihet një zonë edhe në Tropojë.
Rreth 6 kilometra më në lindje ndodhet i ashtuquajturi “Kepi i Skënderbeut”, një masiv guri gëlqeror në formë kërpudhe, i lartë mbi 140 metra. Edhe për këtë vend ka gojëdhëna sipas së cilave ushtria e Skënderbeut e ka kapërcyer atë për të shmangur një humnerë, ndërkohë që më i besueshëm është versioni që kepi është përdorur nga ushtria e Skënderbeut për të vëzhguar turqit.
Gjetje arkeologjike të vitit 2015 tregojnë se zona e Matit ka qenë e banuar që në kohën e paleolitit, ndërsa në disa tuma ilire – të shumë shekujve më pas – janë gjetur stoli karakteristike të grave ilire. Një aspekt tejet interesant ky që tregon për civilizimin e zhvilluar. Këto aspekte mund të qasen më konkretisht në Muzeun Historik të Matit në qytetin e Burrelit.
Por për t’iu kthyer aspekteve të natyrës, Loneta udhëtoi në fshatin Bruç, rreth 20 kilometra në veri të Burrelit, ku disa shpella mahnitëse janë atraksion fantastik për turizmin e aventurës. Një prej shpellave quhet “Shpella e birme”, pasi ka dy-tre dalje dhe një të çarë të madhe përsipër që ofron një peizazh magjepsës. Kjo shpellë ofron një pamje të pazakontë ndryshe nga shpellat e tjera në Shqipëri.
Jo shumë larg shpellave, në Rukaj ndodhet burimi i Shutresë, një burim uji i shenjtë për banorët e zonës që ja vlen gjithashtu të vizitohet, pasi nuk shteron kurrë as gjatë periudhës së verës.
Por nga Mati “Udhëtarët” nuk mund të largoheshin pa vizituar Burgajetin e njohur si vendlindja e mbretit Ahmet Zogu dhe sarajeve të Zogollëve. Megjithatë vlen të thuhet se prej tyre nuk ka mbetur asgjë pasi edhe themelet e tyre u shkatërruan gjatë periudhës së diktaturës.
Deri më tani “Udhëtarët” kanë eksploruar Shkodrën, Malësinë e Madhe, Pukën, Fushë-Arrëzin, Lezhën, Mirditën, Kukësin, Dibrën dhe Bulqizën, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të vizitojnë të gjitha vendet e tjera të Shqipërisë.