Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një video ku denoncon një polic i cili nuk ka trajtuar siç duhet një qytetarë nga Vlora.
Ai thotë se ky është një trajtim shtazor që u bëhet qytetarëve nga policia e Edi Ramës, që shfrytëzon epideminë për të vendosur mbi qytetarët shtypjen e egër.
Berisha bën thirrje për t’u ngritur në të gjitha format e protestave dhe mosbindjes civile për të kundërshtuar veprimet e policit.
Por e vërteta është krejt ndryshe. Një efektiv i patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë ka shpëtuar një grua e cili kishte tentuar të vetëmbytej në det.
Patrulla që kryenin shërbimin në zonën e Ujit të Ftohtë, Vlorë, kanë konstatuar gruan që ishte futur në ujë dhe po lëvizte në drejtim të thellësisë së detit.
Menjëherë, njëri nga punonjësit e Policisë, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Vlorë është futur në ujë dhe ka bërë të mundur nxjerrjen e 40-vjeçares në anë të detit dhe ka njoftuar autoambulancën për ta shoqëruar për në spital.
Në momentin që punonjësi i Policisë e ka nxjerrë nga uji, zonja ka tentuar sërish të futet në ujë dhe punonjësi i Policisë është munduar që ta ndalojë, por zonjës i ka rënë të fikët. Punonjësit e Policisë e kanë dërguar menjëherë në spitalin e Vlorës dhe pas ndihmës së parë mjekësore, 40-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
