Deputetja socialiste Etilda Gjonaj, ka marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Në fjalën e saj, ligjvënësja e majtë ka analizuar rolin e partive politike në nxitjen e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes, ku ka adresuar edhe rekomandimet përkatëse.
Ndër të tjera, ajo u shpreh se:
“Në Shqipëri jemi përballur prej dekadash me një komunikim të polarizuar publik të partive politike që promovojnë intolerancën, gjuhen e urrejtjes, veçanërisht në hapësirat e internetit, apo shigjetimin me bazë gjinore, kur duhet të kishim dialog konstruktiv, tolerant dhe gjithëpërfshirës”, nënvizon Gjonaj.
Më tej, ish ministrja e Drejtësisë theksoi se ndonëse është bërë progres sërish lipset më shumë punë.
Për këtë, ajo ka treguar disa nga hapat pozitive që ka ndërmarrë Shqipëria.
Ajo u shpreh se “Kuvendi i Shqipërisë është anëtar i Aleancës Parlamentare Kundër Gjuhës së Urrejtjes, të krijuar nga PACE, dhe ne kemi ndërmarrë shumë hapa pozitivë, përfshirë miratimin e Kodit të Sjelljes për deputetët shqiptarë në vitin 2018-të, duke përqafuar parimet më të mira të Këshillit të Evropës.”
Ndërkohë, Gjonaj vlerësoj rezolutën e propozuar gjatë sesionit të Asamblesë Parlamentare dhe thirrjen drejtuar parlamenteve kombëtare të shteteve anëtare për ta promovuar sa më shumë atë.
Në lidhje me këtë rezolutë ajo u shpreh:
“Unë e vlerësoj dhe e konsideroj një mjet të rëndësishëm për të siguruar që partitë tona politike të përpiqen drejt të njëjtit synim: Të refuzimit me të gjitha format racizmin dhe intolerancën, gjuhën e urrejtjes, nxitjen e urrejtjes dhe ngacmimeve. Duhet ta promovojme këtë rezolutë brenda Parlamentit tonë, duke pasur parasysh faktin se përfshirja dhe antidiskriminimi është pjesë e ideve dhe vlerave tona”, tha ajo.
Gjonaj e mbylli fjalën e saj duke shprehur mbështetjen e saj ndaj propozimit të Sir Lloyd për nënshkrim të Kartës nga sa më shumë parti politike kombëtare.
Ish ministrja theksoi se “vetëm në këtë mënyrë ne mund të shënojmë impaktin e nevojshëm për të trajtuar këtë çështje të rëndësishme, që ka formësuar shoqëritë tona në të kaluarën dhe do vijoj ta bëjë këtë në të ardhmen.”