Kryeministri Edi Rama thotë se në mandatin e katërt qeverisës paga mesatare e mësuesit do të shkojë 1250 euro. Nëpërmjet rubrikës ”Sy m’sy”, ku Rama u kthen përgjigje ndjekësve të tij në rrjetet sociale, informoi se në shkollat e vendit po ndjekin sot arsimin mbi çerek milion fëmijë, nga të cilët 238 mijë marrin librat falas.
”Gjithë ato projekte rindërtimi e ndërtimi shkollash nga e para dhe thua: Nuk ka fëmijë Shqipëria dhe i harxhoni lekët kot. Sot 238 mijë nxënës i marrin librat falas. Paga mesatare e mësuesit sot është dyfishuar krahasuar me kohën kur ne morëm detyrën. Ishte 420 euro sot është 950 euro dhe brenda mandatit tonë të katërt do të jetë 1250”, shtoi Rama.
Për të në 4 vitet e ardhshme do ndërtohen 200 shkolla të reja. Rama solli në vëmendje edhe situatën në palestra, të cilat sipas tij, ishin të ndërtuara që në kohën e komunizmit.
”Sot kemi mbi 200 palestra të reja në shkolla dhe kemi një lëvizje të tërë në shkolla. Do të shtojmë edhe disiplina të tjera sportive nëpër shkolla dhe synojmë ta çojmë në 20 mijë të paktën, numrin e nxënësve të angazhuar në një sport”, tha ai.