Kryeministri Edi Rama ka treguar më shumë për investimet në shëndetësi ku janë zgjeruar shërbimet, duke garantuar një standard të ri për nënat dhe të porsalindurit. Rama thotë se është drejt përfundimit faza e parë e investimit në Maternitetin “Koço Gliozheni” për rehabilitimin e Urgjencës dhe Qendrës së Gruas. Po ashtu, sipas tij, do të ngrihet për herë të parë Qendra e Riprodhimit të Asistuar.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi dje punimet që po kryhen në këtë maternitet, ku brenda tetorit pritet të përfundojë faza e parë e investimit dhe më pas deri në dhjetor edhe faza e dytë.
Duke folur Qendrën e Riprodhimit të Asistuar, ajo informoi se po punohet për investimin sa i përket strukturës dhe më tej pajisjes biomjekësore dhe paketës së barnave, që janë të nevojshme për të filluar prodhimin e asistuar për herë të parë në spitalet publike ashtu si kemi premtuar. Po ashtu, ministrja theksoi se po punohet edhe për përgatitjen e stafit dhe fuqizimin e kapaciteteve në këtë drejtim, në mënyrë që të kemi edhe një ekip të mirë trajnuar.