Në garën “The Voice of Greece”, vëmendjen e jurisë e rrëmbeu edhe një shqiptar. Julio Imeri, i rritur në Gjirokastër, pas performancës së tij me këngën “Stay with me” mori dritën jeshile nga të katërt anëtarët e panelit. Xhuljo kohët e fundit ka performuar në Greqi si artist rruge bashkë me të dashurën e tij Dhimitrën, dhe siç është shprehur kryesisht këndon dhe flet në anglisht, e pak në gjuhën greke.
“Ishte ditë e gjatë shumë. Emocione të forta. Mendime shumë. A do ja dal? A jam mjaftueshëm i mirë? Para se të shkoja në atë skenë, kisha ankth, isha nervoz, i gëzuar dhe në të njëjtën kohë i frikësuar. Një skenë e madhe, audiencë me shumë njerëz para meje dhe katër njerëz me karrige të kthyera kundrejt meje. Artistë që kanë bërë histori.
Dhe ashtu siç isha në këto mendime, pasi ngjita shkallët për të shkuar në atë skenë, i thashë vetes sime, që do bëj atë që di të bëj më mirë; të këndoj para njerëzve, të jap shpirtin, të bëj njerëzit të ndiejne diçka. Ata janë aty për mua, dhe juristët gjithashtu. Të më dëgjojnë mua, duhet t’i bëj të ndiejnë diçka. Dhe atë bëra! Edhe pse jo perfekte, këndoi zemra dhe shpirti!”, shkruan ndër të tjera muzikanti.
