Në Fier po vazhdon pa ndërprerje puna për rehabilitimin dhe pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse në gjithë territorin e bashkisë. Ministri i Brendshëm Taulant Balla, njëkohësisht drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, ndau sot pamje nga ndërhyrjet që po kryhen në territor.
“Puna vijon çdo ditë për pastrimin e kanaleve vaditëse dhe kulluese në gjithë territorin e bashkisë Fier, duke i ardhur në ndihmë fermerëve të zonës në këto ditë të nxehta për vaditjen e tokave të tyre bujqësore”, shkruan Balla.
Prej dekadash këto kanale, jo vetëm nuk kanë funksionuar, por për më tepër ishin kthyer në problem madhor për të gjithë zonën. Për këtë arsye hektarë të tërë tokash bujqësore kishin humbur bonitetin e tyre dhe ishin kthyer në joeficiente, pikërisht për shkak të moskullimit dhe përmbytjeve masive e të vazhdueshme nga lumi i Vjosës.
