Policia e Lezhës ka arrestuar një tjetër trafikant të 1.5 ton drogë në Velipojë kater vite me parë. Bëhet fjalë për 48-vjeçarin Gjovalin Ndoj i cili më 4 maj të këtij viti është dënuar me shtatë vite burg.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Gjovalin Ndoj, 48 vjeç, banues në Lezhë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 04.05.2021, e ka dënuar me 7 vite burg, për veprën penale ” Trafikim i narkotikëve”, thotë policia.
NGJARJA
Më 11 nëntor të 2017, agjentë të policisë së Shkodrës kanë ekzekutuar operacionin e koduar “Viluni Beach”, në kuadër të të cilit janë sekuestruar 1 ton e gjysmë kanabis e mes të arrestuarve ishte dhe një oficer policie.
Sasia e drogës është gjetur e paketuar në një furgon, ndërkohë që një pjesë tjetër është gjetur në ambjentet e brendshme të hotelit, e paketuar në 6 çanta shpine.
Pronar i furgonit me targë “AA 386 CE” ka rezultuar 20-vjeçari me inicialet J.B, lindur dhe banues në Orikum të Vlorës.
Bashkë me mjetin në fjalë janë sekuestruar edhe dy të tjera, konkretisht një “Benz” me targë “AA 388 ME” dhe një “Ford Fiesta”, në pronësi të shtetasve Sokol Ujka dhe F.M, i pari banues në Velipojë dhe tjetri në Përmet.
Në vijim të operacionit, uniformat blu janë vënë në ndjekje të një automjeti tjetër, një “Golf” me targë “AA 355 SL”, që drejtohej nga shtetasi Enriko Zyle, punonjës policie në Tiranë, i cili në përpjekje për t’u larguar nga hoteli ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.
