Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi zhvilloi këtë të mërkurë një takim me qytetarë të zonës së Shkozës. Në takim me banorët e Shkozës, Këlliçi tregoi rastin e një qytetari, të cilit i ishte shembur shtëpia nga bashkia e Tiranës, e jo vetëm që nuk është dëmshpërblyer, por i është vendosur dhe një gjobë nga IMT.
Këlliçi premtoi se pas 14 majit, prona e qytetarit nuk do të preket. “Një qytetari të Tiranës, i shembet shtëpia, kërkon të drejtën e vet, kërkon ndihmë në Bashkinë e Tiranës dhe përgjigja që i vjen është që ty nuk të është shembur shtëpia dhe do të fus dhe 8 milionë lekë gjobë. Ndërkohë që është në rrugë! Unë ju jap fjalën që banesa e asnjë qytetari nuk do të preket pas 14 majit nga Belind Këlliçi. Prona është e shenjtë, unë jam i djathtë, unë besoj te prona, te kombi, te familja, padiskutim prona është në themelin e shoqërisë sonë. Ju ato shtëpi që keni, i keni kursimet e një jete”,-tha Këlliçi.
Teksa bashkëbisedonte me qindra banorë të Shkozës, Belind Këlliçi pati një ftesë edhe për socialistët, që mund të votojnë Erion Veliajn. “Ku janë socialistët e Njësisë. Nr.1, këta që duan të votojnë Erion Veliajn. A ka mundësi të vijnë këtu me ne, të debatojmë, çfarë u ka bërë këto 8 vjet bashkia. Çfarë kanë përfituar nga bashkia në këto 8 vjet, nëse kanë të drejtë, patjetër t’i dëgjojmë, jemi vëllezër e motra. Ju jap fjalën…, e di që ju ka marrë lekët, e di që ju ka marrë taksat dhe nuk u ka bërë asgjë se flet vet rruga, flasin vet pamjet, flet vet situata juaj. Unë jam një djal i ri dhe i përkas një gjenerate tjetër, i përkas një brezi të ri, unë nuk i ndaj qytetarët në të djathtë e të majtë në demokratë e socialistë, në qytetarë me parti e pa parti. Ne jemi shqiptarë, ne jemi banorë të Tiranës, dhe kudo banorët e Tiranës, në çdo njësi, në qytet e në fshat, duhet të marrin shërbime të barabarta”-u shpreh kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës.
Nga Shkoza, Belind Këlliçi u bëri përsëri thirrje qytetarëve të refuzojnë shitjen e votës, pasi me atë votë vendoset e ardhmja e qytetarëve për katër vitet e ardhshme. Përdorimit të artistëve për qëllime elektorale nga Erion Veliaj, Belind Këlliçi i është përgjigjur me ironi, duke u shprehur se “Vipat e mi janë fëmijët dhe qytetarët e Tiranës”.
“Unë e kam ndarë llogarinë time, po ju them dhe njëherë, e thashë dhe qëparë, ai ka këto që jetojnë nëpër vila dhe jashtë Shqipërie dhe që nuk ia kanë idenë se çfarë bëhet në Tirana. Vipat e mi jeni ju, janë banorët e Tiranës, janë banorët e Shkozës, ishin sot në mëngjes banorët e Laprakës, vipat e mi janë këta fëmijë, janë e ardhmja, janë këta qytetarë. Unë llogarinë e kam me qytetarët, nuk e kam as me oligarkët” -u shpreh Këlliçi.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Belind Këlliçi premtoi vëmendje dhe mbështetje për ta, duke nisur nga dëmshpërblimi për pronat e deri te ndërtimi i rrugëve, kopshteve, çerdheve, ujësjellësave etj. “Unë ju premtoj vëmendje, ju premtoj mbështetje, ju premtoj dëmshpërblim me vlerën e tregut për ata që u janë prishur shtëpitë në mënyrë të padrejtë, ju premtoj trajtim, trajtim të ndershëm dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, ju premtoj vëmendje, ju premtoj investime në rrugë, pa diskutim ju premtoj investim në të gjithë rrjetin e ujit të pijshëm”-tha Këlliçi.