Për të përballuar sa më mirë sezonin e verës dhe për të qenë më pranë qytetarëve, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj bëri me dije se janë shtuar disa qendra shëndetësore në jug të vendit.
Teksa fliste për problematikat që ka hasur kjo strukturë e sistemit të shëndetësisë gjatë sezonit veror, Brataj u shpreh se personat që kërkojnë ndihmën e urgjencës kombëtare janë të shumtë.
Por, shqetësim janë telefonatat nga hotelet që kërkojnë mjek për probleme shëndetësore si diarre apo temperaturë. Për këto raste, ai sugjeroi që të shkojnë në qendrën shëndetësore, pasi mjeku shkon vetëm në raste urgjence.
“Janë hapur disa qendra shëndetësore verore në zonën e jugut, për shkak se spitalet më të afërta janë vetëm në Vlorë dhe në Sarandë, dhe një qendër shëndetësore të përhershme në Himarë. Janë vënë në dispozicion 18 ambulanca. Një problematikë që doja të ndaja, duke qenë se në shërbimin e urgjencës janë rritur shumë telefonatat dhe nuk përballojmë dot çdo shqetësim, pra nuk bëjmë dot asistencë sepse ne jemi urgjencë. Një problem tjetër është dhe telefonata që na vijnë nga hotelet ku kërkohet personel në hotel, sepse nuk mund të shkojë mjeku në hotel për një temperaturë apo një diarre. Duhet të vijnë në qendrën shëndetësore, sepse kështu i bie që qendra të mbyllet nëse mjeku shkon tek pacienti. Shkon kur ka me të vërtetë raste urgjence. Këto janë disa nga problemet që na kanë dalë dhe na krijojnë pengesa”, tha Brataj në “News24″>