Sekretari organizativ i Berishës, Klevis Balliu i ka uruar mirëseardhjen Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, teksa i ka sugjeruar t’i thotë të vërtetën qeverisë Rama. Ai i kërkon ta vërë para përgjegjësisë ekzekutivin shqiptar për aktet antikombëtare të këtyre viteve dhe thekson se Presidentja Osmani duhet të ngrejë disa pyetje. “Presidentja Osmani mundë të kërkojë llogari sot Kryeministrit Rama për sanksionimin e Kosovës duke anuluar takimin e dy qeverive kur Kosova po zbatonte kushtetutën e vet dhe ligjet e veta ndërkohë që Serbia kërcënonte me luftë sa vet ministri i jashtëm serb deklaroi dërgimin e 1000 forcave speciale ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën”,-shkruan Balliu.
Postimi i plotë
Mirë se vini e nderuar Presidente e Republikës së Kosovës. Thojini të vërtetën në sy qeverisë Rama! Në këto 10 vite kanë ndodhur ngjarje shumë të rënda për vendin tonë, por dhe më të rënda për kombin tonë dhe interesat tona kombëtare. Ardhja e Presidentes se Republikës të Kosovës vjen në një moment të rëndësishëm. Por kjo vizitë do ta marrë rëndësinë vetëm, nëse Presidentja Osmani do të thotë të vërtetën dhe do të vërë para përgjegjësisë ekzekutivin shqiptar për aktet antikombëtare të këtyre viteve. Presidentja Osmani duhet të ngrejë disa pyetje.
1- Pse Kryeministri Rama flet me tezat e Beogradit si Kombi Kosova, që Serbia e propagandon për ta larguar Kosovën nga kombi Shqiptar
2- Pse Kryeministri Rama e quan genocidin serb në Kosovë një luftë humanitare.
3- Pse Kryeministri Rama ka kaluar nga kancelaria në kancelari duke kërkuar justifikimin e Vuçiçit për mossanksioninin e Rusisë për luftën në Ukraine.
Gjithashtu duke qene se Shqipëria sot ka marrë drejtimin e KS të OKB Presidentja Osmani duhet t’i kërkojë Kryeministrit Rama të vërë para përgjegjësisë Vuçiçin për 4 deklaratat e tij ku ai kërcënoi me luftë rajonin (deklaratat, 2018, 2019,2021, dhe 2022)
Gjithashtu Presidentja Osmani mundë të kërkojë llogari sot Kryeministrit Rama për sanksionimin e Kosovës duke anuluar takimin e dy qeverive kur Kosova po zbatonte kushtetutën e vet dhe ligjet e veta ndërkohë që Serbia kërcënonte me luftë sa vet ministri i jashtëm serb deklaroi dërgimin e 1000 forcave speciale ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën.
Këto janë debatet e vërteta të cilat Presidentja Osmani ka detyrën t’i ngrejë në këtë takim pasi kombi sot është nën një sulm të vazhdueshëm jo vetëm nga albanofobët, racistët dhe shteti anti-shqiptare si Serbia, por dhe nga vet qeveria shqiptare që i është bashkangjitur tezave dhe politikave serbe kundër interesave tona kombëtare.
Si Presidente e Kosovës dhe një përfaqësuese e kombit Osmani ka detyrën hyjnore të mbroj interesat e kombit shqiptar nga kërcënimet e jashtme të serbofilisë dhe të përfaqësuesve të filozofisë dhe interesave Serbe në vendin tonë, edhe kur ata janë zyrtarë si rasti i Edi Ramës, vëllai i Vuçiçit. Në rast se diskursi politik degradon tek fjalitë boshe të vëllazërisë dhe dashurisë me qeverinë e Ramës që në të vërtet është kohë e humbur atëherë ky do të ishte një shans i humbur i mbrojtjes të kombit.