Stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër do të ketë një pamje tjetër në vijimin e sezonit, në pritje që të vijë koha kur tribunat të mbushën përsëri me tifozë. Te Vllaznia kanë ndjekur shembullin e klubeve të tjera që kanë mbuluar shkallaret e impianteve të tyre me mbishkrime që i kushtohen skuadrës dhe që do i japin një pamje më interesante ndeshjeve që luhen në shtëpi.
Iniciativa e disa tifozëve të klubit, është mbështetur edhe nga drejtuesit që kanë hapur dritën e gjelbër për të ndryshuar imazhin e stadiumit. Kështu, pas një pune të gjatë në dy ditët e fundit, në gjithë tribunën ballore është shpalosur një parullë gjigande me mesazhin për kuqeblutë.
“One team. One Dream. Fight for us. We believe” (Një ekip. Një ëndërr. Luftoni për ne. Ne besojmë) shkruhet në parullën gjigande e cila është shpalosur mbi shkallaret e stadiumit dhe do të bëjë “debutimin” pikërisht në një ndeshje që pritet me shumë interes në Shkodër, siç është ajo ndaj rivales historike, Tiranës.