Një konflikt familjar për motive pronësie ka rrezikuar të përshkallëzohej në përdorimin e armëve në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë. Policia ndërhyri në kohë, duke arrestuar një 47-vjeçar me precedent kriminal dhe duke sekuestruar një pistoletë, dy krehra dhe 30 fishekë.
Ngjarja u parandalua në kuadër të operacionit të koduar “Lidhja”.
Sipas Policisë, menjëherë pas njoftimit për një konflikt në një familje në lagjen “Uji i Ftohtë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë shkuan në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe personat e përfshirë.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë policore, u arrestua në flagrancë shtetasi J. T., 47 vjeç, pasi dyshohet se, për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri vëllanë e tij.
Gjatë operacionit u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, dy krehra dhe 30 fishekë.
47-vjeçari rezulton me precedent kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
