Kryetari i PSD, Tom Doshi, dha dorëheqje të parevokueshme nga kandidimi i tij për deputet, dhe i kërkoi KQZ-së që ta zëvendësojë me emrat e tjerë. Nga sondazhet e para partia e tij mund të marrë të paktën një mandat nga votimi i të dielës.
Zoti Doshi kandidoi për deputet, megjithë thirrjet e përsëritura të ambasadës amerikane drejtuar institucioneve shqiptare për të shmangur futjen e tij në parlamentin e tij, pasi kishin informacione për korrupsion domethënës nga ana e tij.
Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, vizitoi së bashku me kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, qendrat e numërimit të votave në dy shkolla dhe të dy kërkuan administrimin sa më të saktë të procesit.
“Ne do ta shohim procesin nga afër. Votuesit shqiptarë e kanë bërë punën e tyre, tani përgjegjësia mbetet mbi numëruesit për ta bërë punën e tyre me integritet. Unë besoj se do ta bëjnë” – tha ambasadorja Kim.
Ajo bëri thirrje partive politike të presin me durim rezultatet dhe kur ai të certifikohet, duhet t’i pranojnë ato.
Ambasadorja Kim shkroi më pas në rrjetet sociale se procesi i numërimit kishte filluar dhe duhej pritur nga të gjithë me durim rezultatet.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë me ju deri në fund!”, – shkroi ambasadorja Kim.
Ndërkohë ka nisur numërimi i votave në të gjithë qarqet e Shqipërisë. Nga rezultatet e pjessshme fillestare ende nuk shihet një fitues i qartë, por deri tani ato po shkojnë sipas prirjes që pohuan sondazhet.
Fituesi i zgjedhjeve të 25 prillit duket se do të përcaktohet nga një diferencë e ngushtë mes palëve.
Të paktën tre Exit poll-e të ndryshme të bëra publike në mbrëmje, në televizionin Top Channel, Euronews Albania dhe OraNews, japin thuajse të njëjtën panoramë, atë të një përballjeje thuajse kokë më kokë mes Partisë Socialiste nga njëra anë dhe Partisë Demokratike e koalicionit që ajo drejtoi dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nga ana tjetër.
Të gjitha sondazhet konfirmojnë faktin se Partia Socialiste ka mbetur forcë e parë e vendit, por se Partia Demokratike, e cila ka një rekuperim të ndjeshëm të mbështetjes elektorale, së bashku me LSI-në e cila jepet e tkurrur po ndjeshëm, janë në avantazh.
Çështja është se sistemi elektoral proporcional rajonal, nuk lejon një përkthim të saktë nga përqindjet në nivel kombëtar, në numër mandatesh në parlament.
Pak pas publikimit të rezultateve të Exit poll-eve, kryetari socialist Edi Rama, u shfaq duke saktësuar se rezultati i vërtetë është ai që ndodhet në kutitë e votimit. “Sondazhet, Exit poll-et, pavarësisht se ne na japin forcë qeverisëse, i përkasin arsyetimeve para ndeshjeve. Tani është rezultati i kutive që është dhe rezultati i ndeshjes”, deklaroi ai.
Zoti Rama kërkoi që çdo numërues të kryejë me përgjegjësi detyrën e “të kontribuojë për të numëruar në mënyrë korrekte votat që janë në kuti. Ne nuk duam thjesht rezultatin dhe konfirmimin si forcë qeverisëse, por siç ishte kjo ditë kaq e bukur, kaq qytetare, falë sjelljes demokratike të të gjithëve, duhet të jetë dhe numërimi i procesit dhe nga ky proces, duhet të dalë e fituar Shqipëria”.
Nga ana e tij dhe kryetari demokrat Lulzim Basha, nuk e fshehu optimizmin. “Faleminderit gjithë qytetarëve të Shqipërisë që zgjodhën ndryshimin. Kjo është një fitore e qartë për popullin shqiptar, një fitore e qartë për Aleancën për Ndryshim”, u shpreh zoti Basha, i cili gjithashtu nënvizoi se “vullneti i popullit është në kutitë e votimit. Kam besim të plotë se komisionerët dhe numëruesit do ta menaxhojne proçesin me përgjegjësi dhe durim dhe sipas ligjit. Siç kam thënë në fillim të fushatës, në fund të këtij proçesi Shqipëria fiton”, theksoi zoti Basha.
Nëse dhe procesi i numërimit konfirmon panoramën e Exit poll-eve, atëherë procesi i numërimit do të jetë një betejë deri në fletën e fundit të votimit.
Deri pak para mesnatës kishte nisur numërimi i vetëm një qendre votimi. Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, shpjegoi se është në përfundim procesi i dorëzimit të materialeve zgjedhore në vendet e numërimit.
Ai deklaroi se procesi i numërimit duhet të vazhdojë pa ndërprerje, pasi nuk ka asnjë arsye. Sipas zotit Celibashi, rezultati do të duhet të dalë brenda 48 orëve.
VOA