Në adresën e shënuar prej tyre, fleta e votimit ku do të hedhin për herë të parë votën në distancë për parlamentin e ri, emigrantëve do t’u shkojë e mbyllur në dy zarfe.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi vendimin, ndërsa sqaroi se në njërin prej zarfeve ku do të vendoset fleta e plotësuar e votimit nga emigrantët, nuk lejohet asnjë shënim. Tjetri, që KQZ e quan zarfi i jashtëm do të shërbejë për të futur zarfin e parë, brenda së cilit ndodhet vota e emigrantit.
KQZ do të kujdeset që brenda zarfeve të vendosë edhe një manual që do t’i ndihmojë emigrantët të mos gabojnë në plotësimin e fletës së votimit.
Diaspora ka nisur prej 11 janarit regjistrimin në platformën e dedikuar për ta PER. Deri më tani, kanë paraqitur kërkesën për t’u regjistruar më shumë se 90 mijë emigrantë, nga të cilat janë miratuar rreth 55 mijë e 800 kërkesa. Por ky proces po shoqërohet edhe me gabime në shënimin e dokumentacionit nga emigrantët, gjë që ka çuar në refuzimin e 1/3 së kërkesave.