Gjykata e Kurbinit ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Ilir Xhepajn, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e dy biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji në Laç.
Roli i Xhepajt në atentatin me dy të vrarë
Gjatë aksionit për vrasjen e dy personave brenda hotelit në Laç përkatësisht, Paulin Gjergji dhe Bujar Likajt, morën pjesë katër persona, ndërsa Eduart Lamaj dyshohet si atentatori kryesor, i arrestuar tashmë nga policia.
Ndërkohë, Xhepaj ka mbajtur të neutralizuar dy djemtë e njërit prej viktimave, duke mos i lejuar ata të dalin nga makina e tyre “Range-Rover”, ndërsa ndaj babait organizohej vrasja brenda hotelit. Gjatë vrasjes, Eduart Lamaj, autori kryesor i krimit mbeti i plagosur me armë pas reagimit nga ana e njërit prej viktimave.
Ka qenë sërish Xhepaj bashkë me të kërkuarin tjetër, Elson (Oltion), Alija (Vlashi), që kanë hyrë brenda dhe kanë nxjerrë të plagosurit prej andej, për tu zhdukur më pas.
Xhepaj konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë në Mamuras dhe Kurbin. Ai është nga fshati Gjorm, i Mamurasit dhe autorët, por edhe Bujar Hasani njiheshin me njëri-tjetrin për shkak se janë nga e njëjtat zonë.
Xhepaj kishte vetëm tre muaj që ishte liruar nga burgu dhe jetonte mes Tiranës, Laçit dhe Lezhës. Ai ishte dënuar për një grabitje me armë në vitin 2012 në Kurbin, e po ashtu për një plagosje në Fushë-Krujë.
