Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi ishte e ftuar mbrëmjen e sotme në “Kjo Javë”.
Qeleshi dha komentin e saj mbi vrasjen e bujshme të gjyqtarit Astrit Kalaja dy javë më parë në sallën e gjyqit të Apelit, teksa po jepte vendimin e një çështje pronësie.
Qeleshi thekson se ishte një ngjarje e pamendueshme, por vë në pah se ka një pakënaqësi të ndjeshme të publikut ndaj gjyqësorit edhe prej tejzgjatjes së çështjeve.
“Kjo është një ngjarje që nuk mendohet se mund të ndodhë. Nuk mendoj se ishte e paralajmëruar. Ka një pakënaqësi jo pa të drejtë të publikut ndaj sistemit gjyqësor. Vjen prej tej zgjatjes së gjykimi. Diku shpërthen. Nuk e kam menduar se mund të ndodhte. Askush nuk duhet ta pranojë se mund të ndodhë. Njerëzit duhet të gjejnë mënyra si të shfaqin pakënaqësi. Është e nevojshme të flitet për gjënë. Të ketë reagime. Përtej fatkeqësisë, dëmi i ardhur nuk i shërbeu askujt. As personi që kreu veprën penale, nuk solli asnjë pasojë pozitive.”
Më tej, mendon se duhen marrë masa më gjithëpërfshirëse për sigurinë në gjykata dhe në sallat e gjyqit. Kjo gjë mungon sipas saj, pasi nuk ka një strategji prej institucioneve.
“Masa pati kryesisht në disa gjykata u bënë verifikime nëse ishin kushte të ndryshonin metal detector. Për fat të keq ende nuk është qasja e duhur. Duhet një strategji, me masa afatshkurtra, afat mesme dhe më afat gjata se mund të jenë godinat e reja. Strategjia institucionale duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Minimalisht një qasje, edhe gjyqtarët kanë pasur pritshmëri për siguri në sallat e gjyqit, e rëndësishme të ketë një staf i specializuar për sigurinë në gjykata.”
Sakaq, nxjerr si problematikë edhe stokun e madh të dosjeve që kanë në sirtarë gjyqtarët. Duhen zgjeruar kapacitetet sipas saj dhe shtimi i burimeve njerëzore.
