Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi pezullimin e katër zyrtarëve policorë, pas vrasjes së 35-vjeçares, Hamide Magashi nga ish-bashkëshorti i saj.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Sveçla ka u shpreh se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
“Me këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policor nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim. Po ashtu, të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal”, ka shkruar ministri i Punëve të Brendshme.
Ndërkohë, IPK të shtunën konfirmoi se zyrtarët e pezulluar janë Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues.
“Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues) . Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë”, thuhej në fund të komunikatës.