Vrasja e 59-vjeçarit Martin Bardhit, vijon të mbetet pa autor. Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona për atentatin, mes të cilëve dhe pjesëtarë të fisit Reçi me të cilët kishte konflikte viktima.
Mes tyre edhe Saimir Reçi i cili pati dhe konfliktin me viktimën, në mars të këtij viti. Bashkë me të është shoqëruar edhe i ati i tij. Në total deri më tani janë 10 të shoqëruar që janë marrë në pyetje. Anëtarët e fisit Reçi mësohet se kanë mohuar përfshirjen në atentat.
59-vjeçari Martin Bardhi u ekzekutua me breshëri automatiku teksa ndodhej i ulur në lokalin e tij paraditen e së martës, në shoqërinë e 3 personave që mbetën të plagosur. Teksa autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende, pista kryesore e policisë është ajo e hakmarrjes.
Martin Bardhi kishte pak kohë që liruar nga qelia e burgut. Ai ishte lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje pasi në muajin Mars u arrestua si një nga autorët e përfshirë në atentatin e dështuar, pikërisht ndaj Saimir Reçit.