Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë, Klevis Qose i pranishëm në Komisionin e Sigurisë foli edhe për ngjarjen e rëndë të ndodhur dhjetorin e vitit të kaluar, ku Sokol Mjacaj vrau brenda në burg Arben Lleshin.
Qose tha hetimet ende nuk kanë përfunduar, por deputeti i PD-së, Fredinand Xhaferri reagoi ashpër mbi këtë çështje. Përveçse foli me tone të ashprea për vrasjen duke thënë se sistemi i burgjeve ka degraduar, Xhaferri iu kthye edhe skandalit që u zbulua se si burgu i Peqinit ishte kthyer si hotel me 5 yje për të dënuarit.
Arben Lleshi u vra në burgun e Peqinit në dhjetor të vitit 2023 nga Sokol Mjacaj. Prokuroria dyshon se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, por ende nuk ka mundur të identifikojë porositësit. Vrasësi, i dënuar përjetë, Sokol Mjacaj deri në këto momente nuk ka pranuar të bashkëpunojë për të treguar porositësin e kësaj ngjarje.
Ferdinand Xhaferri: Në dhjetor 2023 kemi një nga periudhat më të errëta lidhur me Drejtorinë e Burgjeve, futen armë, vriten të burgosur, ekspozohen shkresa që burgu i Peqinit ishte kthyer në hotel me yje, ekspozohen raporte që burg i sigurisë së lartë në Durrës ishte kthyer në hotel me 5 yje për të burgosurit e korruptuar të politikës. Këto flasin për një degradim që s’ka shpatulla ta mbajë drejtori i burgjeve dhe ministri i Brendshëm, përgjegjësia është te kryeministri.