Një person ka mbetur i vrarë mëngjesin e sotëm në lagjen Sheq i Madh në Fier dhe është identifikuar më pas si Shkëlzen Kastrati.
Ngjarja ka ndodhur në rrethrrotullimin e Sheqit duke shkaktuar frikë dhe kaos. Mësohet se në vendin e ngjarjes ndodhën dy makina, ndërsa viktima gjendet ende në vendin e drejtuesit të mjetit tip “Mercedes Benz” me targa ABC871AN.
Dëshmitarë të ngjarjes thanë se pas të shtënave autori ka braktisur makinën dhe është larguar në drejtim të Mbrostarit.
Në vendin e ngjarjes ndodhet edhe një tjetër makinë tip “Mercedes Benz” me targa AA799UY. Nuk dihet ende nëse kjo makinë ka lidhje me ngjarjen.
Fillimisht makinat janë përplasur me njëra-tjetrën, ndërsa më pas është qëlluar në drejtim të shoferit të makinës me targa ABC871AN.
Sakaq, një mjet raportohet se është djegur pranë fshatit Mbrostar të Fierit, ndërkohë që pritet dhe informacioni zyrtar nga policia.
