Policia ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen në Kavajë, ku mbeti i vrarë Dritan Haxholli, dhe u plagos polici i burgjeve, Bledar Toci.
Sipas burimeve jozyrtare viktima kishte shkuar në orën 2.00 të natës në shtëpinë e ish të dashurës për t’u sqaruar për ndarjen. Pas të bërtiturave të gruas, polici i burgjeve i cili është i afërm i saj ka shkuar drejt shtëpisë.
Ai u plagos me armë nga viktima dhe më pas e qëlloi për vdekje Haxhollin.
NJOFTIMI I POLICISE
Kavajë/Informacion paraprak
Rreth orës 00.40, në Lagjen nr. 2 Kavajë, shtetasi D. H., banues në Kavajë, ka hyrë në banesën e shtetases M. Q. Në banesë ndodhej dhe shtetasi B. T, banues në Kavajë, punonjës i Policisë së Burgjeve.
Shtetasi D.H. është konfliktuar me shtetasin B. T. dhe si pasojë shtetasi D.H ka qëlluar me armë në drejtim të shtetasit B.T duke e plagosur atë. Shtetasi B.T me armën e shërbimit ka qëlluar në drejtim të shtetasit D.H i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Shtetasi B.T, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.
