Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dhënë informacion zyrtar për vrasjen e ndodhur në komisariatin numër 3.
“Më datë 24.05.2022, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Ludian Zaimi, me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.
Arrestimi i punonjësit të policisë Ludian Zaimi, u krye pasi më datë 23.05.2022, në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, ai ka qëlluar disa herë me armën e shërbimit pas një konflikti për motive të dobëta, punonjësin e policisë Çaush Saliasi, me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital”, thuhet në njoftim.