Avokati i Përparim Ademi, i cili vrau dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani në Astir, dha një prononcim për mediat pasi gjykata e la në burg klientin e tij.
Avokati thotë se Prokuroria ka ndryshuar versionin, pasi në fillim Ademi është akuzuar për ‘’vrasje në rrethana cilësuese’’, kurse në versionin e dytë e akuzon për ‘’vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’’, dhe për këtë ai nuk bie dakord.
Sa i përket autorit, avokati thekson se Ademi është në gjendje të rëndë psikologjike dhe shëndetësore.
“Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për arrest në flagrancë dhe masën e sigurisë për arrest me burg. Kjo është vepër penale, nga veprat më të rënda. Vetë personi ka pranuar, ka dhënë dhe deklarimet e para në Policinë Gjyqësore.
Sa i përket cilësimit ligjor. Fillimisht është akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese. Por sa i përket cilësimit duhet të ishte kjo dispozitë. Ai është i martuar ‘de facto’, kurse përsa i përket bashkëjetesës shoqëria nuk e pranon poligaminë. Rrjedhimisht që cilësimi ligjor duhet të ishte në bazë të nenit 79/dh.
Prokuroria e akuzon klientin tuaj për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare
Po. Ka ndryshuar versionin e parë, dhe në të dytin ka caktuar këtë. Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare. Ai është pohues, që ka ndodhur dhe versionin. Është i rënduar nga ana psikologjike, shëndeti nuk është i mirë. Për këtë fazë kaq mund të them.”- tha avokati.
