Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sonte ka takuar përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Beogradit-Prishtinë, Miroslav Lajçak. Pas takimi nuk ka pasur adresim për mediat, por keto të fundit kanë arritur të zbulojnë disa detaje.
Sipas mediave serbe, Vuçiçit dhe Lajçakut iu bashkua në takim edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç. Takimi vjen në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën sërish për shkak të mosmarrëveshjeve rreth regjistrimin e automjeteve me targa serbe në Kosovë.
Nesër, më 5 nëntor, do të mbahet mbledhja e veçantë e Qeverisë së Serbisë ku për situatën në Kosovë do të flas presidenti Vuçiç. Pastaj ai do të ketë edhe takime me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës, ndërsa është paralajmëruar edhe takimi me kreun e Kishës serbe.
Ndërkohë bisedimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç me serbët e Kosovës zgjatën gjithë natën. Ndërsa 72 orët e ardhshme do të jenë më të vështirat në 10 vitet e fundit, shkruan “Blic”.
“Direkt dhe në telefon bisedimet kanë zgjatur deri në orën 5:30 të mëngjesit të sotëm, serbët janë të indinjuar, pika e fundit ka qenë shkarkimi i drejtorit rajonal të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriç, për të cilin Kurti nuk ka asnjë autoritet. Nuk mund ta bëjë këtë. ”, thotë nje burim per mediat serbe.
Serbët nga Kosova do të kenë edhe një sërë takimesh, ndërsa të shtunën pritet një tubim i madh në Mitrovicë ku do të zbulojnë planin e tyre para qytetarëve.
“Këto do të jenë 72 orët më të vështira në 10 vitet e fundit dhe në ditët në vijim do të qartësohet shumë”, përfundon burimi.