Të dërguarit e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të vizitojnë në ditët në vijim fillimisht Kievin dhe më pas Moskën, bëjnë të ditur burime për agjencinë ruse të lajmeve Tass.
Vizita vjen në kuadër të përpjekjeve të administratës amerikane për të ndërmjetësuar një zgjidhje të mundshme për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në një videomesazh se negociatorët amerikanë janë duke punuar për një takim të nivelit të lartë dhe se janë përcaktuar tashmë data paraprake për vizitat në të dyja vendet.
“Ka data paraprake. Presim të shohim përfaqësues të presidentit amerikan këtu në Kiev. Ata konfirmuan se takimi do të mbahet në Moskë dhe Kiev. Presim me padurim të takohemi në ditët në vijim. Kjo është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të mbeten aktive. Jemi të gatshëm të takohemi me ta në Ukrainë, në një nivel të lartë dhe mbi meritat”, tha Zelensky.
Ndërkohë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike, sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë vijuar. Në Odesa, një person humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën pas një sulmi të trupave ruse.
“Mëngjesi në Odessa filloi me një sulm armik. Deri më tani janë raportuar 1 viktimë dhe tre të plagosur”, tha Oleg Lysak, kreu i administratës ushtarake të qytetit në Odesa.
Nga ana tjetër, ushtria ukrainase ndërmori gjatë natës një valë sulmesh ndaj qytetit rus të Soçit. Sipas gazetës Kyiv Independent, në shënjestër të sulmeve me dronë ishte edhe një anije ruse, si dhe një depo nafte.
Anija “Nefrit” konsiderohet pjesë e infrastrukturës detare dhe energjetike të Rusisë dhe shërben për mbështetjen e operacioneve të naftës dhe gazit, mirëmbajtjen e platformave në det të hapur, si dhe transportin e mallrave dhe personelit.
Zhvillimet e fundit vijnë në një moment kur Uashingtoni po përpiqet të mbajë gjallë kanalet e komunikimit mes palëve dhe të avancojë përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.
