Deputeti i Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferaj komentoi zhvillimet e fundit politike në spektrin e djathtë theksuar se vendi ka nevojë për një opozitë të fortë, e cila të mund të përballet me Ramën, por që në krye të mos jetë Berisha, ndërkohë që Lulzim Bashën nuk e merr fare në konsideratë.
Xhaferaj theksoi në A2CNN se ndryshe nga viti 2005 kur PD erdhi në pushtet në një kohë kur interesat e Berishës konvergonin me ato të opozitës së kohës, tani vërehet se interesat e tij nuk janë të njëjta me ato të opozitës dhe të vendit. “Gjithmonë në politike do ishte mirë që interesat personale të konvergonin me interesat e vendit, por këtu shoh një contrast të madh. Për shembull në vitin 2005 interesat personale të z.Berisha konvergonin me interesat e opozitës dhe kjo çoi në fitoren e zgjedhjeve të atëhershme, por tani nuk konvergojnë. Kemi kaluar disa teste zgjedhore dhe është provuar se z.Berisha është i nevojshëm në opozitë, por nuk është i mjaftueshëm”, tha Xhaferaj.
