Me ftesë të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, sot u mblodh Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ku u votuan dhe u miratuan ndryshimet e reja statutore për partinë.
Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferaj ka reaguar pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, ku shkruan i shqetësuar se Kuvendi i sotëm i solli ndërmend shprehjen e miliarderit George Soros, i cili evidenton se “çdo gjë është kthyer në biznes, përfshirë dhe politikën”, e që sipas tij ky realitet e dëmton shoqërinë tonë.
Më tej, Xhaferaj shtoi se kryeministri Rama sot ndihet krenar për Bashën dhe mbështetjen që i ka dhënë.
Postimi i Ferdinand Xhaferajt:
Aktiviteti i sotëm në pallatin e sportit “Asllan Rusi” më kujtoi një shprehje të miliarderit George Soros që thotë: “Ligji është bërë biznes, kujdesi shëndetësor është bërë biznes, politika gjithashtu është bërë biznes. Kjo realisht e minon shoqërinë”.
Rama duket shumë i ngarkuar me asamblenë e të hënës që nuk ka arritur të bëjë asnjë promo për pallatin “Asllan Rusi” që sot ishte kthyer në një Land of FamilyMark Communication.
Pra, takimi i sotëm ishte një demonstrim i Lulëzimit të Biznesit dhe Rama ka të gjithe të drejtën të krenohet për mbështetjen e dhënë.