Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se i është drejtuar Kuvendit me një tjetër kërkesë për shkarkimin e presidentit Meta, pasi sipas tij veprimet e fundit të tij tregojnë shkelje të reja.
“I jam drejtuar Kuvendit për shkarkimin e Presidentit. Shkelja e Kushtetutës është bërë kronike nga ana e Metës. Veprimet dhe mosveprimet e tij të fundit do të bëhen pjesë e Komisionit Hetimor. Presidenti ka nxjerrë një dekret në 13 nëntor për emërimin e Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës. Në këtë rast ka vepruar përtej kompetencës së tij ligjore dhe kushtetuese. Ky veprim ka sjellë edhe pasoja të rëndë të legjitimimit të Kushtetueses. Arta Vorpsi e ka fituar në bazë të Kushtetutës dhe ligjit mandatin e anëtarit të Gjykatës.
I pyetur pse shqiptarët duhet të besojë socialistët, sipas të cilëve Xhaferllari nuk duhet të jetë anëtare e Gjykatës dhe Arta Vorpsi po, Balla tha se dekreti për Xhaferllarin është i paligjshëm dhe kjo mund të kuptohet fare drejtë në rezolutën e miratuar nga Kuvendi ditën e premte (15 nëntor).
“Lexoni rezolutën e Kuvendit miratuar të premten. Presidenti duhet të punojë për legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese. Dekreti për Marsida Xhaferllarin konsiderohet i paligjshëm referuar rezolutës së Kuvendit. Kush nuk zbaton Kushtetutën duhet të marri përgjegjësitë që i takon. Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese sepse nuk është zgjedhur në atë pozicion sipas Kushtetutës”, tha Balla.