Kandidati i PD, Xhelal Mziu dje nga Maqellara bëri të ditur se janë ngritur grupet e gatshme të mbrojtjes së votës dhe se kushdo që do tentojë sipas tij të blejë votën do ta pësonte si “ai në Elbasan”, duke iu referuar konfliktit që degjeneroi në vrasjen e përkrahësit të PS-së, Pjerin Xhuvani. Pas kësaj deklarate që shkaktoi shumë reagime, Mziu ka kërkuar falje.
Menjëherë më pas ka reaguar Ambasadorja Yuri Kim, ku shkruan se dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet.
“Më vjen mirë që shoh një ndjesë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë copën e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – një e kaluar e shëmtuar që të gjithë duhet ta refuzojmë. Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, kjo duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta drejtojnë këtë Shqipërinë larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë”, shkruan Yuri Kim.
